Shqipëria bëhet pjesë e programit Media të Evropës Krijuese

March 2, 2017 / BY / IN Aktivitete

Në datën 5 Qershor 2015, Ministrja e Kulturës Znj. Mirela Kumbaro Furxhi si dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Z. Ilir Butka, mbajtën një konferencën për shtyp, organizuar me rastin e përfshirjes së Shqipërisë në programin Media të Evropës Krijuese 2014 – 2020.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe shumë përfaqësues të sektorit kinematografik dhe atij të industrisë krijuese në Shqipëri,

Në Qershor të viti 2014, Qeveria Shqiptare (Ministria e Kulturës) nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Komisionin Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërise në Programin “Evropa Krijuese 2014 – 2020”, të Bashkimit Evropian, ku vendi ynë ishte përfitues vetëm në Programin Kultura. Ndërsa në Tetor të atij viti, shërbimet e Komisionit Evropian njoftuan që Shqipëria mund të përfitojë edhe nga programi “Media” meqënëse ka përafruar direktivat evropiane në fushën audiovizuale. Në muajin Mars 2015, Shqipëria nëpërmjet kontributit financiar të Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare Kinematografike si dhe Radio Televizionit Publik Shqiptar, bëri të mundur pagesën e kuotës vjetore për pjesmarrje në programin Media, duke i hapur kështu udhën aplikimeve shqiptare të sektorit audioviziv në këtë program.

Gjatë takimit, Znj Mirela Kumbaro Furxhi u shpreh se : “Marrëveshja dhe kontributi financiar në programin “Evropa Krijuese” për programin “Media” tregon edhe një herë vëmendjen e qeverisë shqiptare ndaj prodhimit kinematografik. Ky kontribut finaciar i hap udhën filmit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Falë këtij programi mund të themi se jemi në skenën evropiane, ku konkurrojmë me cilësinë e projekteve. Ky është vizioni ynë për të ardhmen e kinematografisë dhe jo vetëm, por të gjithë medias audiovizuale shqiptare, kjo është politika e Ministrisë së Kulturës, për të konsoliduar prodhimet kinematografike jashtë kufijve”

Më pas, Kryetari i QKK, Z. Ilir Butka u shpreh se : “ Nga sot, hapim një rrugë të re për produksionin kinematografik. Ky program bën të mundur të jemi pjesë e rrjetit evropian të programit më të madh në fushën e mbështetjes së kinematogrisë. Duhet thënë se nënshkrimi i marrëveshjes na bën të jemi akoma më pranë Apulia Film Commission, një prej partnerëve strategjikë të QKK, duke mundësuar një marrëdhënie më të ngushtë bashkëpunimi me të, si në thithjen e projekteve, por edhe në programe formimi , asistencë teknike, etj. Ky program është vetëm njëri nga mekanizmat që na çon drejt propozimeve të sakta në Evropë dhe në shfrytëzimin maksimal të potencialit krijues kinematografik në vend”

Përfituesit potencialë të programit Media në Shqipëri në të ardhmen do të mund të jenë:

• QKK/ Qendra Kombëtare e Kinematografisë;

• Çdo lloj enti tjetër publik apo privat i cili operon në fushën e bashkëfinancimeve të prodhimeve kinematografike apo audiovizuale. Në rastin shqiptar përfitues të tjerë do të mund të ishin sipas legjislacionit në fuqi: RTSH si dhe çdo TV me licensë kombëtare, platformat digitale Tring dhe Digitalb;

• Shtëpitë kinematografike shqiptare;

• Kinematë apo rrjetet e kinemave publike dhe private në Shqipëri;

• Rrjetet e shpërndarjes së filmit : Kinema. Platforma Online. TV. Platforma Digjitale apo edhe Kompani të prodhimit dhe shpërndarjes së DVD –ve.

• Festivalet e filmave në Shqipëri;

• Shtëpitë kinematografike apo entitete të konsideruara të tilla sipas legjislacionit të kinematografisë dhe AMA`s mund të marrin pjesë në fushën e prodhimeve të video lojërave;

• Në fushën e zhvillimit të audiencës, mund të marrin pjesë përveç të gjitha entiteteve të përmendura më lartë, edhe zyrat apo këshillat e kulturës në nivel qëndror dhe vendor të cilat kanë prioritet të tyre zhvillimin e jetës artisitke dhe rekreative në territoret e tyre.

Leave a Reply